Vijon beteja e rektorit Mynyr Koni me anëtarët e KIZ. Rektori i Universiteti të Tiranës ka shtuar manovrat e tij antiligjore, pasi ka kërkuar sërish që të mos ketë zgjedhje më 30 korrik. Koni vijon të këmbëngulë tek mos njohja e Komisionit Institucional të Zgjedhjeve, ndërkohë që ky i fundit vijon punën pavarësisht sulmeve të Konit.
Dje rektori ka dërguar një shkresë ku ka shkruan se zgjedhjet nuk do të mbahen më 30 korrik, diçka e paligjshme, pasi rektori nuk ka kompetenca ligjore për të vendosur apo shtyrë datën e zgjedhjeve.
“Kjo do të thotë që në datën 30 korrik 2020, në Universitetin e Tiranës, nuk mund të zhvillohen zgjedhjet për autoritetet drejtuese dhe për anëtarë të Senatit Akademik të UT, në kushtet e pamundësisë së Senatit Akademik për të miratuar KIZ, dhe të kaosit dhe konfuzionit të shkaktuar nga 5 (pesë) ish-personeli akademik i UT”, është shprehur Koni.
Akuzat ndaj KIZ
Sakaq në shkresën e tij Koni është shprehur se, për shkak të mungesës së aplikimeve nga personeli akademik i UT-së për anëtar të KIZ, ky i fundit nuk arriti të miratohet nga Senati Akademik.
“Gjithashtu, shpalla edhe periudhën e aplikimeve apo të vetëkandidimeve për anëtarë të Komisionit Institucional të Zgjedhjeve (KIZ) të UT dhe të Komisionit të Apelimit të UT, për formatimin dhe miratimin e tyre, si detyrë dhe përgjegjësi e Senatit Akademik të UT, të përcaktuar në nenin 6 dhe 37 të Rregullores së Zgjedhjeve të UT.
Për shkak të mungesës së aplikimeve nga personeli akademik i UT për anëtar të KIZ, ky komision nuk arriti të miratohet nga Senati Akademik. Në këto kushte, aktualisht, në Universitetin e Tiranës, nuk është miratuar Komisioni Institucional Zgjedhor (KIZ), sipas kërkesave të nenit 6 të Rregullores së Zgjedhjeve të UT, si e vetmja strukturë që ka përgjegjësi për administrimin e procesit zgjedhor në UT”, ka thënë ndër të tjera rektori Mynyr Koni.
Koni ka shtuar ndër të tjera se, kjo ka ardhur si pasojë e kaosit që kanë shkaktuar 5 ish-personel akademik të UT, të cilëve, sipas Konit, u janë ndërprerë marrëdhëniet e punës me UT që në datën 6 maj 2020. “Nga ana tjetër, 5 (pesë) ish- personel akademik i UT, të cilëve, sikurse jeni njoftuar dhe sqaruar edhe me komunikimet dhe deklaratat e mia të mëparshme, u janë ndërprerë marrëdhëniet e punës me UT që në datën 6 maj 2020, vazhdojnë të ndërmarrin veprime dhe të nxjerrin akte në funksion të procesit zgjedhor të UT.
Këta ish-personel i UT, mbështeten hapur nga të gjithë drejtuesit aktualë të njësive kryesore (dekanët e fakulteteve) të UT, në veçanti nga z. Dh.Kule dhe z. A.Hoxha. Të gjithë këta persona, kanë krijuar një konfuzion dhe një kaos total në institucion dhe në radhët e personelit akademik të UT. Pikërisht ky kaos dhe ky konfuzion, ka prodhuar edhe këtë situatë paligjshmërie në procesin zgjedhor në UT”, shprehet ai.
KIZ vijon punën
Ndërkohë pavarësisht sulmeve dhe përpjekjeve të Konit për të ndaluar zgjedhjet, KIZ po vijon punën normalisht dhe përgatitjet për zgjedhjet po vijojnë. Deri më tani ka 3 kandidatë për rektor. Dje pas deklaratës së Konit kanë reaguar dy prej kandidatëve. Artan Hoxha dhe Mimoza Hafizi janë shprehur kundër kërkesës së Konit. Sipas Hoxhës, Mynyr Koni nuk ka asnjë kompetencë për të anuluar zgjedhjet. “Procesi ka nisur, tashmë jemi në fushatë”, thotë Hoxha. Sakaq Hafizi nënvizon se procesi zgjedhor ka nisur dhe se KIZ që ka miratuar senati akademik është i ligjshëm. “Jemi në periudhe fushate, nuk mund të anulohen zgjedhjet”, ka deklaruar ajo.