Ndonëse na ndajnë pak kohë nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të 2021, opozita ende nuk ka marrë një vendim se si do hyjë në këtë proces. Ndryshimi i formulës së koalicioneve në Kodin Zgjedhor ka sjellë që përplasjet dhe divergjencat mes PD-LSI të shtohen.
Por për aleatët e Bashës, është e rëndësishme që të merret një vendim se me çfarë listash do të shkohet në zgjedhjet e 25 prillit. Aleatët e Lulzim Bashës, të cilët preken drejtpërdrejt nga formula e koalicioneve flasin për një vendimmarrje që është përtej opozitës, e cila sipas Agron Dukës e ka gati formulën e organizimit. Në një reagim për media, Duka tha se ata e kanë kontratën e tyre me PD.
“Skemat janë pothuajse të gatshme, pra ose do të dilet me dy lista, një listë ku do jetë në krye të koalicionit Partia Demokratike, si partia opozitare më e madhe dhe një listë do jetë LSI. Pyetja është ku do të jenë aleatët? Mendoj që aleatët e kanë kontratën me Bashën, pra me PD, kështu që tendenca është që aleatët të jenë në pjesën fituese të listës së PD.
Po mendoj seriozisht që të arrihet një dakordësi e plotë me të gjithë opozitën që të mund të shihet mundësia e një liste të tretë, ku të jenë anëtarë të gjithë partitë e vogla, që janë të djathta, por që nuk janë shumë dakord me Bashën, por edhe parti të majta siç është ajo e zotit Milo”, tha Duka.
Ndërsa kreu i Lëvizjes për Zhvillimin Kombëtar, Dashamir Shehi u shpreh se partitë e reja që po krijohen nuk do t’i rreshtohen grupimit opozita. Në një reagim për media, Shehi deklaroi se krerët e partive të reja po djegin të ardhmen e tyre politike. “Nuk besoj që partitë e reja që po krijohen do t’i rreshtohen grupit opozitar, para dhe pas zgjedhjeve.
Nëse nuk do të jenë pjesëtarë aktivë të një opozite kundër zotit Rama, unë them që përpara se t’i bëjmë dëm ne opozitës i ka bërë vetes, sepse ata do të vetizolohen dhe nuk do të kenë të ardhme politike”, tha Dashamir Shehi. Ndërsa kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu theksoi nevojën e organizimit imediat të opozitës në një program politik dhe qeverisës të përbashkët dhe angazhimin në çdo qendër votimi për të mbrojtur votat e shqiptarëve nga manipulimi i Edi Ramës ndërmjet ndryshimeve antikushtetuese dhe antiligjore të Kodit Elektoral.
“Bashkimi me rrugën tonë i shqiptarëve, sidomos i të rinjve, pedagogëve, profesionistëve, bashkimi i grupeve të djathta dhe kontribuuesve të këtyre 30 viteve, është një domosdoshmëri. Asnjë votë e djathtë nuk duhet të shkojë në favor të Edi Ramës sepse ajo votë shkon kundër të ardhmes europiane dhe kundër shqiptarëve”, deklaroi kreu i PR-së.