Presidenti Ilir Meta ka dalë hapur se fshihet ai pas rikthimit të tensioneve në vend. Gazeta e tha të hënën se shembja e teatrit ishte një skemë e planifikuar që opozita, Meta e Berisha të gjenin kauzën e re për të nisur revoltat dhe protestat kundër qeverisë.
Dje një gjë e tillë është vërtetuar plotësisht, pasi ka dalë në skenë Presidenti i Republikës. Ditët e fundit Meta është mjaftuar vetëm me reagime në rrjetet sociale, por dje është vënë në lëvizje, pasi u ka dërguar një ftesë të gjithë krerëve të partive opozitare, për një takim në Pallatin e Brigadave. Pra Meta ka thirrur Bashën, gruan e tij, Mediun, Shehin, Dukën, Dulen, Idrizin, etj, për të diskutuar mbi situatën politike, nisjen e protestave dhe shembjen teatrit. Thirrja e takimit nga ana e Metës është një sinjal i qartë se presidenti tani do të marrë situatën në kontroll.
Kështu ndodhi edhe para se të zbriste në shesh Meta, kështu po ndodh dhe tani. Presidenti ka dhënë sinjalin e parë se po tenton të marrë sërish frenat e opozitës dhe të udhëheqë ai skenarët e protestave. Basha ja u ka lënë në dorë artistëve, por duket se kjo nuk po mbështetet nga Meta, Berisha e Kryemadhi. Një burim shumë i sigurt i gazetës bëri me dije se në takimet që ka pasur Basha me aleatët Kryemadhi e Berisha kanë kërkuar mosbindje civile dhe e shohin si mundësi të artë për të rrëzuar Ramën. Basha nga ana e tij u ka dhënë udhëzim degëve që e kanë ata në dorë për pjesëmarrjen në protesta. Edhe dje gazeta tha se Basha thjesht po mbështet artistët, por jo se po organizon tubime. Nëse shihet retorika e Bashës, Berishës e Metës duket qartë se kemi një ndarje.
3 të fundit duan kaos e dhunë. I pari ishte Berisha. Në protestën e së hënës ai deklaroi se duhet të shkohet te çdo formë e mosbindjes civile. Të martën ishte Monika Kryemadhi që në rrjetet sociale kërkoi të njëjtën gjë. Dje Meta ka bërë dy reagime në rrjetet sociale, ku në një farë mënyre kërkonte rezistencë përballë qeverisë. Pra presidenti e nxori kokën dje se po punon në prapaskenë për të rinisur përplasjet politike dhe për të futur në kaos vendin.
Meta thirrje e sulme
Presidenti Meta ka sulmuar dje ashpër qeverinë dhe ka treguar se mbështet protestat e artistëve kundër qeverisë. Ndonëse është mundur të qëndrojë në hije ditët e fundit, kreu i shtetit e ekspozoi veten dje dhe mori sërish në dorë “shpatën e Skënderbeut” për të zbritur në shesh. “Kjo dhunë ka vetëm një emër dhe një adresë! Kush hesht dhe nuk guxon ta dënojë është bashkëfajtor dhe nxitës i saj! Kurajë qytetarë dhe solidaritet! Demokracia nuk dhurohet, por mbrohet dhe fitohet! Të bashkuar deri në fund, me dashuri për Shqipërinë europiane”, deklaroi Meta në një status në rrjetet sociale.
Presidenti reagoi edhe sa i takon arrestimeve në radhët e protestuesve. Dje u mbajt seanca për masën e sigurisë për 7 të arrestuarit, ku Meta nuk ndali sulmet e kërcënimet. “Të gjitha arrestimet, ndalimet dhe procedimet për mbrojtjen paqësore të Teatrit Kombëtar janë vetëm politike. Vetë operacioni për shembjen e tij ishte kryevepra e asgjësimit përfundimtar të çdo iluzioni për ekzistencën e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Lironi të burgosurit politikë në Shqipërinë e 2020”, deklaroi ai. Mbetet të shihet se çfarë do të prodhojë takimi i sotëm në Pallatin e Brigadave, por sipas informacioneve, Meta pritet të ushtrojë presion që opozita të marrë në dorë protestat dhe të luftojë fort përballë mazhorancës. Sinjalet u dhanë që dje, pasi Basha në protestë tha se do dalë me strategji të re për të mos vonuar zgjedhjet e parakohshme./Sot/Kliti Topalli