Kryeministri Edi Rama ka publikuar grafikun mbi ecurinë e koronavirusit në Shqipëri, ku 10 ditët e fundit kurba ka pësuar një rënie, për të cilën kreu i qeverisë thekson se është rezultat i masave të mara dhe zbatimit të tyre nga qytetarët.
Kreu i qeverisë thekson se këto ditë ka pasur edhe një ulje graduale të numrit të të shtruarve në spitale, ku fatmirësisht nuk është krijuar një panoramë e ngjashme me spitalet në vendet e tjera të botës që është prekur ky virus, teksa u ka bërë thirrje qytetarëve që të vijojnë të respektojnë masat. Nëse gjithçka do të vijojë kështu, vijon Rama, atëherë Shqipëria do të dalë më shpejt fitimtarë se shumë të tjerë dhe mbi të gjitha me kokën lart.
“Shumë e rëndësishme: falë masave të shpejta e të forta dhe rezistencës suaj të shkëlqyer, 10 ditët e fundit kemi rënie graduale të shtrimeve në mjediset spitalore COVID. *Ky tregues që e has shumë pak, për të mos thënë fare në vendet e tjera nën agresion, ku mbingarkesa e spitaleve po vjen si haraç për vonesat në marrjen e masave, na thotë qartë se e para, po bëjmë gjënë e duhur, e dyta duhet të vazhdojmë kështu me durim sepse armikun e kemi pas çdo porte, e treta po vazhduam kështu, do dalim më shpejt fitimtarë se shumë të tjerë dhe me kokën lart përpara brezave që vijnë nga kjo sfidë historike”, shkruan Rama.