Gjykata e Lartë pritet të vijojë të jetë edhe për një kohë të gjatë jashtë funksionit. Ndonëse javën e kaluar kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi i dha ultimatum kryetares së Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami që të hapë sa më parë garën për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë dhe të mos e mbajë më peng integrimin e vendit, ky urdhër është refuzuar.
Edhe në rezolutë, theksohej qartë që KLGJ duhet të hapë sa më parë garën dhe të bëjë funksionale Gjykatën e Lartë, si një nga kushtet e Bundestagut. Të enjten KLGJ ka pasur një mbledhje ku në rend dite ishte pikërisht shpallja e vakancave në Gjykatën e Lartë, mirëpo nuk ka ndodhur kështu. Sipas njoftimit për shtyp, Këshilli ka kërkuar opinion nga EURALIUS i BE dhe OPDAT i SHBA dhe gjithçka do bëhet sipas konsultave me ta.
“Në përfundim të fazës së parë të verifikimit të kritereve ligjore të kandidimit për gjyqtar në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, Këshilli vendosi verifikimin e tre kritereve ligjore të kandidimit si dhe vijimin e verifikimit të kritereve të tjera për kandidatin z. Dhimitër Lara, znj. Saida Dollani dhe znj. Margarita Buhali. Gjithashtu në vijim të rendit të ditës, Këshilli vendosi shtyrjen e hapjes së procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, për pozicionet e lira në fushën e të drejtës administrative/ civile/ penale, pas marrjes së opinionit të partnerëve ndërkombëtarë.
Në përfundim Këshilli vendosi fillimin e procedurës së vlerësimit etik dhe profesional me qëllim përcaktimin e nivelit të vlerësimit (gradimin) të disa gjyqtarëve që kanë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit”, thuhet në njoftimin e KLGJ.
Ja rendi i ditës së KLGJ
Më tej, në mbledhjen e së enjtes KLGJ vendosi për rihapjen e garës për 4 vendet vakante në Gjykatën e Shkallës së Parë kundër Krimit dhe Korrupsionit, si dhe hapjen e garës për gjykatat në rrethe.
“Për shkak të mos shprehjes së interesit nga gjyqtarët për pozicionet e lira të shpallura me datë 26.02.2020, Këshilli vendosi rihapjen e procedurës së ngritjes në detyrë për 4 pozicione të lira në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe rihapjen e procedurës së ngritjes në detyrë për 1 pozicion të lirë në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Gjithashtu për të njëjtin shkak, Këshilli vendosi rihapjen e procedurës së ngritjes në detyrë për 1 pozicion në fushën e të drejtës civile në Gjykatën e Apelit Gjirokastër dhe Apelit Shkodër si dhe 1 pozicion në fushën e të drejtës penale në Gjykatën e Apelit Korçë. Në vijim të shpalljes së pozicioneve të lira, Këshilli vendosi hapjen e procedurës së ngritjes në detyrë për 1 pozicion të lirë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë si dhe për 1 pozicion të lirë në atë të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në njoftimin e KLGJ.
Ndërkohë që pas vendimit të KPK për shkarkimin e Nure Drenit, KLGJ mori vendimin që të shkarkohet si gjyqtare e Apelit në SPAK. “Për shkak të shkarkimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të gjyqtares znj. Nure Dreni, Këshilli vendosi mbarimin e caktimit të përkohshëm në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe transferimin e saj”, thuhet në njoftimin e KLGJ.