Kambanat e alarmit kanë filluar të bien sërish për Xhezair Zaganjorin. Kryetari i Gjykatës së Lartë arriti t’i mbijetonte vetingut, edhe pse u gjetën shumë parregullsi nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në pasurinë e tij. Por konfirmimi i Zaganjorit në detyrë nuk u përtyp dot nga përfaqësuesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, të cilët kërkuan shkarkimin e tij, duke e çuar çështjen në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Pas shumë zvarritjesh, KPA përcaktoi dje datën e parë të seancës për kryetarin e Gjykatës së Lartë. Sipas një njoftimi të publikuar ditën e djeshme nga KPA, bëhet e ditur se seanca për Zaganjorin do të zhvillohet të martën e 25 qershorit.
Ndërkohë që, sipas njoftimit, trupi gjykues që do të marrë në shqyrtim ankimimin për Zaganjorin përbëhet nga gjyqtarët: kryesues i trupit gjykues, Albana Shtylla, relatore e çështjes, Rezarta Schuetz, gjyqtar Sokol Çomo, gjyqtar Luan Daci dhe gjyqtare Natasha Mulaj.
“Ditën e martë, më datë 25.06.2019, ora 12:30, do të gjykohet në seancë publike çështja (JR) nr.23/2018, datë 19.10.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 46, datë 24.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Xhezair Zaganjori.
Trupi gjykues për gjykimin e kësaj çështjeje përbëhet nga: Kryesuese: Albana Shtylla; Relatore: Rezarta Schuetz; Anëtarë: Luan Daci, Natasha Mulaj, Sokol Çomo. Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë”, thuhet në njoftimin e KPA.
Por nëse Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendos që të rrëzojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për Zaganjorin, duke e shkarkuar këtë të fundit nga detyra, Gjykata e Lartë me shuma gjasa do të shkrihet, pasi mbetet vetëm me një anëtar, sikundër është Medi Bici.
Mirëpo, shkrirja e Gjykatës së Lartë do të ishte një goditje e fortë për sistemin gjyqësor në vend, pasi pak kohë më parë vetingu shpartalloi edhe Gjykatën Kushtetuese, duke dëshmuar se dy institucionet më të larta gjyqësore të vendit ishin të korruptuara.
Ja vendimi i KPK
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zbardhi pak kohë më parë vendimin për konfirmimin në detyrë të kreut të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, ku duket qartë se ka shkelje. Subjekti ka deklaruar apartament banimi, sip. 293 m², me vlerë 5.800.000 lekë.
Deklarimi i subjektit të rivlerësimit për pasurinë e paluajtshme apartament banimi me sip. 293 m² (Deklarata-Veting, viti 2017) nuk përputhet me deklarimin e parë të bërë për vitin 2003 dhe kontratën përkatëse të shitblerjes (kontrata e vitit 2001) për këtë pasuri.
Sipas Deklaratës-Veting, vlera e apartamentit është 5.8 milionë lekë dhe sipërfaqja totale është 293 m², ndërsa sipas deklarimit për herë të parë vlera është 7.4 milionë dhe kontrata e shitblerjes është në vlerën 500.000 lekë. Pra ka mashtrim me vlerën e pasurisë. “Burimi i të ardhurave për blerjen e apartamentit është shitja e apartamentit të mëparshëm me vlerë 3.9 milionë dhe pjesa tjetër nga të ardhurat personale dhe qiraja.
Në një vlerësim paraprak, rezulton se subjekti i rivlerësimit ka tri deklarata të ndryshme dhe rezulton një kontratë, e cila nuk korrespondon me deklarimet për pasurinë e blerë, si për vlerat përkatëse, edhe për sipërfaqen. Këto deklarime të ndryshme, si për vlerën, edhe sipërfaqen, nuk justifikohen, për më tepër kur subjekti i rivlerësimit ishte pajisur me certifikatë pronësie për pasurinë e mësipërme që në vitin 2001 dhe deklarimin e parë e ka bërë në vitin 2003”, thuhet në vendim. Por më tej deklarohet se me këtë ndryshim vlere ka pasur evazion fiskal. Por pavarësisht këtyre ai u konfirmua në detyrë.
Rigels Seliman