Prej disa ditësh, qeveria shqiptare ka marrë një sërë masash kundër l.uftës me virusin Covid-19. Pjesë e këtyre masave më e rëndësishmja prej tyre është mbajtja e maskës, e cila sipas ekspertëve të fushës do të ulë ndjeshëm transmetimin e virusit.
Vetë kryeministri, duke respektuar mendimin e mjekëve dhe ekspertëve, herë pas here përsërit se sa i domosdoshme është mbajtja e maskave dhe distancimi social, në mënyrë që të mos detyrohemi të mbyllemi sërish, pas një përhapje të gjerë dhe të pashmangshme e rasteve të hospitalizuara.
Por këto thirrje, me sa duket kanë rënë në vesh të shurdhër kur bëhet fjala për pushtetarët. Të parët që e refuzojnë urdhërin e qeverisë ishin individë të fushave të ndryshme si politikanë, artistë, drejtues organizatash dhe disa “shkencëtarë” të pavarur, që nuk besojnë në teorinë se maska dhe distancimi social ndihmon në parandalimin e virusit, madje ka nga ata që mendojnë se virusi nuk ekziston fare.
Por ky arsyetim nuk vlen për Kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj, i cili është pjesë e qeverisë Rama dhe do apo nuk do ai, duhet të zbatojë rekomandimet e ekspertëve. Mirëpo Veliaj ka bërë gjithmonë të kundërtën, sidomos pasi u infektua nga Covid dhe e kaloi sëmundjen, të paktën kështu pretendohet prej tij, kryetari i Bashkisë nuk i ka ndaluar puthjet e përqafimet gjatë gjithë pandemisë, edhe në ditët kur shqiptarët po kalonin kohët e tyre më të këqija.
Madje në një takim të fundit në Petrelë, Veliaj nuk nguroi të hiqte maskën dhe të përqafonte Alket Islamin, i cili për gjatë gjithë takimit nuk e mbajti maskën për asnjë sekondë, qoftë për respekt të eventit. Është skandaloze, se si në ditët e sotme, kur qindra qytetarë janë gjobitur për mos zbatimin e masave anti-covid, Erion Veliaj e shkel hapur këtë urdhër “ditën për diell”.
Xhesti i Veliaj mund të quhet fare mirë tangërllëk-fodullëk, për qytetarët që e kanë zgjedhur dhe po respektojnë masat e qeverisë së tij dhe ekspertëve, por edhe për ata që nuk e kanë zgjedhur, por zgjedhin të vendosin maskën përpara se të jetë tepër vonë për të mbrojtur veten e tyre dhe të tjerët përreth.
Nëse ekziston shteti dhe urdhrat janë ato që thuhen, një fletë gjobë duhet të shkoj në adresë të Erion Veliaj, në faturën e dritave dhe të gjitha atyre që shkelën masat anti-covid, që pësimi t’iu bëhet mësim. Nëse nuk gjobitet Veliaj, atëherë urdhrat dhe gjobat i bie të jenë vetëm për qytetarët e aspak për pushtetarët./Ekskluzive.al