Teksa pritet betimi i anëtarit të gjashtë të Gjykatës Kushtetuese para presidentit Ilir Meta, që i hap rrugë bërjes funksionale të kësaj gjykate, ambasada amerikane në Tiranë, theksoi ditën e djeshme se reforma në drejtësi duhet të vazhdojë të ecë përpara.
Përmes një postimi në “Twitter”, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës deklaroi dje se do vijojë të mbështesë me forcë dëshirën e popullit shqiptar për një sistem drejtësie transparent, pavarësisht se sipas saj, reforma në drejtësi nuk do të jetë e lehtë dhe e shpejtë. “Reforma në drejtësi nuk do të jetë e lehtë, e shpejtë apo perfekte, por është duke ecur përpara hap pas hapi dhe duhet të vazhdojë.
Shtetet e Bashkuara do të vijojnë të mbështesin me forcë dëshirën e popullit shqiptar për një sistem drejtësie transparent, të drejtë dhe tërësisht funksional. Falë bashkëpunimit të ngushtë midis Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Presidencës dhe Parlamentit, me këtë emërim në pritje, Shqipëria është vetëm një gjykatës larg nga një Gjykatë Kushtetuese funksionale (funksionaliteti kërkon një kuorum prej 6 gjykatësish nga 9).
Veprimet e tyre u përgjigjen opinionit të Komisionit të Venecias, kërkesave për pranimin në Bashkimin Europian dhe më e rëndësishmja -kërkesës së popullit shqiptar. Le të ecim përpara -hap pas hapi”, thuhet në mesazhin e ambasadës amerikane. Kujtojmë që Kuvendi i Shqipërisë votoi dy ditë më parë me 96 vota pro emrin e Altin Binajt, i cili bëhet kështu anëtari i pestë i Gjykatës Kushtetuese.
Me votimin e Binajt tashmë duhet edhe një anëtar për të plotësuar kuorumin e nevojshëm duke e bërë funksionale Gjykatën Kushtetuese. Votimi në Kuvend pason vendimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që i dërgoi Kuvendit emrin e Binajt, në vend të Fatos Lulos, anëtar i shkarkuar i Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë dy ditë më parë edhe votimin e Altin Binajt e ka përshëndetur ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, e cila thotë se tanimë duhet vetëm një gjykatës tjetër që Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale.
Kim thotë se SHBA pret që KED t’i dërgojë presidentit listën e kandidatëve sa më shpejt. “Lajm i mirë: Parlamenti miratoi gjykatësin e GJK. Shqipëria tani ka nevojë edhe për një gjykatës për të pasur një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Presim që KED t’i dërgojë Presidentit listën e kandidatëve sa më shpejt… Kjo është një arritje e madhe, e cila do e çojë Shqipërinë më afër BE-së & pasqyron bashkëpunimin e fortë midis KED, Presidencës & Parlamentit”, shkroi ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim.