Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi ka reaguar sa u takon deklaratave të presidentit Ilir Meta dhe ish-kryeministrit Sali Berisha për të protestuar kundër qeverisë “Rama”.
Teksa ishin veçmas në studio televizive Meta dhe Berisha paralajmëruan se një nga instrumentet që do të përdorin për të rrëzuar kryeministrin Edi Rama nga pushteti është nxjerrja e qytetarëve në shesh para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit kundër mazhorancës.
Por gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, ish-kreu i SHISH i cilësoi thirrjet e presidentit Meta për tubime si të kota, ndërsa shprehu bindjen se atij nuk i shkon njeri pas. Sipas tij, kreu i shtetit është i pabesueshëm.
“Sa i takon paralajmërimit të presidentit Ilir Meta për të ngritur popullin në protesta kundër qeverisë është një dëshirë e tija, por nuk është aq e bollshme sa thotë ai për të rrëzuar qeverinë “Rama”. E para Lëvizjen Socialiste për Integrim e ka tjetër kush. E dyta Meta bëri një miting para Presidencës, ku para qytetarëve premtoi shumë, por asgjë nuk mbajti nga ato propozime atje.
Kështu që edhe deklarata për të protestuar kundër qeverisë sërish, është e ngjashme me ato që kemi dëgjuar nga Iliri, por nuk i shkon kush pas”, deklaroi ai për gazetën “SOT”.
Meta dhe Berisha e dinë se nuk përsëritet ‘98
Por ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi të njëjtën përshtypje dhe opinion që ka për presidentin Ilir Meta, duket se ka edhe për ish-kryeministrin Sali Berisha. Gjatë prononcimit të tij për gazetën “SOT”, zoti Klosi i cilësoi paralajmërimet e Berishës si retorika, ndërsa theksoi se ka ikur koha që pushteti rrëzohet me protesta të dhunshme.
Madje, i prerë dhe i qartë ish-kreu i SHISH teksa u referohet paralajmërimeve të dyshes Meta-Berisha për protestat, iu kujtoji këtyre të dyve se ata e dinë fare mirë se nuk përsëriten dot skenarët e 1998, kohë kur opozita e kohës bëri grusht shteti kundër qeverisë “Nano”. Sipas tij, në pushtet vihet me votë dhe jo me protesta sikundër pretendon presidenti Meta dhe ish-kryeministri Berisha.
“Sali Berisha gjithmonë ka bërë deklarata të forta dhe është mburrur, por asnjëherë nuk i ka shkuar deri në fund asaj që ka premtuar e paralajmëruar. Saliu 2 herë e ka marrë pushtetin në Shqipëri, njëherë në vitin 1992 kur ia dha populli pasi ishte nevoja e ndryshimit dhe njëherë në vitin 2005 kur pushtetin ia dorëzoi Fatos Nano. Kështu që referuar këtyre dy rasteve, dua të them se Berisha bën deklarata absurde dhe tregojnë që ai po rrjedh. Nuk bie qeveria me dhunë se do Saliu me shokë.
Ne kemi rastin më të freskët që u bë një tentativë për protesta për ata djalin e shkretë që u vra, pra tubimet e fundit dhe ja ku jemi sot që kauza u shua. Pas protestave fshihej PD-LSI të jeni të sigurtë për këtë, pavarësisht se ata thonë jo. Kështu që Berisha nuk ka shanse ta rrëzojë qeverinë me protesta se nuk ka kohë dhe nuk i shkon pas kërkush për të bërë çudira.
Berisha e mori në ‘98 pushtetin me dhunë dhe 3 orë e mbajti. S’ka më hapësirë në Shqipëri që të rrëzosh pushtin me dhunë. Pushteti rrëzohet me votë”, nënvizoi ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”.