Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) bëri të ditur se ekonomitë e Ballkanit Perëndimor duhet të marrin momentin e bashkëpunimit mes krizës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit për të forcuar integrimin rajonal.
Drejtoresha e BERZH-it për Ballkanin Perëndimor, Zsuzsanna Hargitai tha se është shumë e lartë kostoja e vendosjes së koronavirusit nën kontroll dhe se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk mund të duronin vetëm barrën e luftës dhe duhet të dinë që nuk janë të vetmuara ndonëse nuk janë anëtare të BE-së ose Eurozonës.
Përpara samitit të nesërm virtual BE-Ballkanit Perëndimor, Hargitai tha se BERZH po udhëheq mbështetjen e rajonit dhe, pas një rekordi prej 1.3 miliard eurosh në investime për 2019, planifikon të sigurojë deri në 1.7 miliardë euro këtë vit për të lehtësuar efektet e krizës pandemike.
“Kjo krizë tregon se bashkëpunimi është rruga e duhur. Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta përdorin këtë moment për të sjellë një moment të ri në integrimin rajonal. Një nga pasojat e krizës do të jetë ridizajnimi i zinxhirëve të furnizimit global, i cili mund të jetë një mundësi historike për Ballkanin Perëndimor”, -tha Hargitai.
Përgjigjja e BERZH-it ndaj krizës në Ballkanin Perëndimor tregon se kufizimet e ngurta ishin një shok për ekonominë e rajonit, i cili pritej të përshpejtonte rritjen ekonomike për 2020.
“Në gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, BERZH është një investitor kryesor institucional. Banka investon mesatarisht më shumë se një miliard euro në rajon. Në vitin 2020, ajo kërkon të përgjigjet ndaj krizës duke siguruar deri në 1.7 miliardë euro”, bëri të ditur BERZH-i.
Shqipëria dhe Mali i Zi, të cilat më shumë mbështeten në turizëm, do të preken negativisht nga kufizimet e lëvizjes, ndërsa në Kosovë, ashtu sikurse edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, do të vijë në masë të dukshme rënia e kërkesave të brendshme”, përfundon BERZH.