lir Meta ka lëshuar valë kritikash ndaj Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe ndërkombëtarëve sa i takon çështjes së Ardian Dvoranit. Pasi KLGJ iu drejtua Euralius dhe OPDAT për mandatin e Dvoranit, Meta shpërtheu i revoltuar në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.
Nga një studio televizive, presidenti tha se përgjegjësia për të shqyrtuar mandatin e Ardian Dvoranit është e institucioneve shqiptare, më konkretisht e KLGJ, duke theksuar se kërkesa që i dërguan Euralius është thjesht një justifikim për ta mbajtur akoma në pushtet. Sipas tij, ndërkombëtarët nuk janë në gjendje të interpretojnë Kushtetutën e vendit tonë, duke theksuar se ajo është e miratuar në gjuhën shqipe dhe sipas legjislacionit të vendit tonë. “Për rastin aktual të gjithë përgjegjësinë e ka KLGJ.
Se kë pyet ajo kjo është temë tjetër, por është 100 për qind përgjegjësi e KLGJ dhe institucioneve shqiptare në respekt të Kushtetutës dhe ligjit. Tani nëse ata e përdorin këtë si justifikim dhe do thonë nesër ose pasnesër që kështu na thanë partnerët, por këto janë pa vlerë sepse përgjegjësi është e tyre. Nesër një anëtar i Gjykatës Kushtetuese mund të thotë që të pyes një specialist të huaj. Sado të dijë një specialit i huaj, nuk e di Kushtetutën e vendit tonë. Ka shumë Kushtetuta të miratuar dhe është në gjuhën shqipe. Është legjislacioni shqiptar. Për mua është e gjitha një pretekst, por përgjegjësia është e tyre”, tha Meta.
Akuzat për ndërkombëtarët: Presidenti Ilir Meta i shtoi më tej sulmet edhe në drejtim të ambasadorëve në vendin tonë, duke deklaruar se ata kanë legjitimuar çdo akt antikushtetues. Kreu i shtetit i bëri thirrje edhe qytetarëve shqiptarë që të ndalojnë ndërkombëtarët dhe politikanët që u referohen deklaratave të tyre që të mos e përbuzin në Kushtetutën. “Nuk ka asnjë rast të shkeljes se Kushtetutës që nuk është bekuar nga ndërkombëtarët. Ndërkombëtarët janë edhe OSBE edhe Këshilli i Europës.
Por kjo nuk ka më vlerë dhe populli shqiptar duhet t’i përbuzë këta politikanë. Ndërkombëtarët po përbuzin Kushtetutën e Shqipërisë. Populli t’u kërkojë politikanëve që të respektojnë kushtetutën dhe të mos e ndryshojnë më. Politikanët tonë deri tani i janë referuar deklaratave të ndërkombëtarëve. Llogari duhet tu kërkohet politikanëve shqiptarë që po fshihen pas ndërkombëtarëve. Populli shqiptar duhet të çlirohen nga kjo që thonë ndërkombëtarët. Ndërkombëtarët po shkelin Kushtetutën e vendit. Unë nuk i kam bërë asnjë përgjigje Euralius dhe nuk ka askush përgjegjësi përveç KLGJ”, tha Meta.
Zëvendësimi i Dvoranit: Më tej, Meta tha se Ardian Dvorani duhet të ishte larguar nga Gjykata e Lartë që pas dekretimit të Sokol Sadushit si anëtar i kësaj gjykate, duke shtuar se është në pritje të një përgjigje zyrtare nga institucioni i KLGJ, si i vetmi organ kompetent sipas tij. “Nuk kam parë ende një vendim. Mendoj që kjo është një nga çështjet më të thjeshta në botë dhe mendoj që është një çështje që nuk duhet të ishte vënë në lëvizje nga presidenti por duhet të ishte mbyllur brenda 24 orëve që pas emërimit të zotit Sadushi në Gjykatën e Lartë. Kjo është një çështje elementare dhe këtë e di dhe një student që ka mbaruar vitin e parë që ka marrë një 5 me mik. Unë kam çuar një shkresë zyrtare dhe pres një përgjigje zyrtare. Unë nuk i kam dërguar këtë çështje institucioneve ndërkombëtare, por vetëm KLGJ si president i republikës dhe pres përgjigje nga KLGJ”, tha Meta.