Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është i bindur se vendi do të shkojë në zgjedhje. Pasi dogji mandatet rreth një vit më parë, opozita doli në rrugë duke protestuar kundër qeverisë dhe kërkuar zgjedhje të parakohshme.Por mbërritja e Covid-19 në vendin tonë duket se i prishi planet e PD dhe aleatëve të saj për largimin e kryeministrit Edi Rama nga detyra, kështu që shpresat që qeveria të largohet mbeten për vitin tjetër.
Ditën e djeshme kryedemokrati Basha mblodhi aleatët e tij në selinë blu, ndërsa gazeta ka mësuar disa detaje nga ato që janë diskutuar në takimin që zgjati rreth dy orë. Sipas informacioneve, mësohet se një nga çështjet ka qenë pikërisht zgjedhjet. Opozita nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit, ndërsa gjithashtu kërkon edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat duket se për këtë viti kanë pak gjasa të bëhen. Mësohet se të ndodhur përpara kësaj situate, zoti Basha dhe aleatët e Partisë Demokratike janë bindur se për shkak të koronavirusit është e vështirë që të ketë zgjedhje këtë vit. Në këtë kontest, burimet nga mbledhja theksuan për gazetën se Basha dhe aleatët e tij kanë rënë dakord që vendi të shkojë në 2 palë zgjedhje pranverën e vitit 2021.
Pra, kërkojnë që zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare të mbahen në një ditë, pasi për partitë opozitare është e vetmja rrugë që vendit t’i kthehet normaliteti, pas krizës politike që e ka mbërthyer qysh prej fillimit të vitit të 2019. Po ashtu, mësohet se në qendër të takimit të Bashës me aleatët e tij, ishte edhe situata në të cilën ndodhet vendi për shkak të koronavirusit.
Por përveç zgjedhjeve dhe situatës në të cilën ndodhet vendi për shkak të koronavirusit, në fokus të takimit që kryedemokrati Lulzim Basha zhvilloi me aleatët e tij ka qenë edhe mbledhja e sotme për reformën zgjedhore. Sipas informacioneve, mësohet se kreu i PD është shprehur se për reformën zgjedhore, Partia Demokratike dhe partitë aleatet e saj ia kanë bërë propozimin e tyre mazhorancës qeverisëse dhe se për ta tanimë është në dorë të kryeministrit Edi Rama nëse do t’i pranojë draftet e opozitës. Madje, mësohet se Basha dhe aleatët e tij kanë rënë dakord që reforma zgjedhore të mos zvarritet, por të mbyllet brenda qershorit që është edhe afati i komisionit të posaçëm parlamentar.
Ndërkohë, detaje nga mbledhja ka dhënë edhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi. Kjo e fundit gjatë një prononcimi për mediat deklaroi përpara gazetarëve se opozita ka dërguar 5 propozime për reformën zgjedhore dhe se sipas saj, mazhorancës i mjafton të zgjedhë vetëm një. Sipas tij, mazhoranca nuk duhet të vonohet asnjë sekondë, prandaj duhet të lëvizë sa më shpejt me reformën. “Nesër mblidhet komisioni që do të njihet me propozimet. Mazhoranca duhet të zgjedhë njërin prej pesë drafteve, të bjerë dakord dhe presim reagimin e tyre. Çdo zvarritje që vjen nga pala tjetër nuk është e papritshme. Ata duan edhe 1 sekondë më tepër pasi një firmë nga Rama do të thotë një vjedhje më shumë për koncesion”, deklaroi ajo.
Më tej, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi theksoi se Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është informuar për të gjitha takimet e Këshillit Politik dhe reformës zgjedhore. “Jam e sigurt se ambasadorja e SHBA, Yuri Kim i ka kërkuar të lëvizin shpejt me reformën zgjedhore”, nënvizoi kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi./NGA RIGELS SELIMAN