Familjarët e viktimave të shpërthimit në Gërdec kanë kthyer sytë nga SPAK. Edhe pse kanë kaluar 13 vite nga ngjarja e rëndë asnjë zyrtar apo funksionar politik nuk u dënua nga drejtësia. Zamira Durda është ndër të paktat që për 13 vite nuk ka heshtur dhe vijon që të kërkoi drejtësi për djalin e saj të mitur i cili humbi jetën nga shpërthimi.
Sipas informacioneve ajo i është drejtuar me padi Prokurorisë së Posaçme ku ka paditur shumë zyrtarë të qeverisë “Berisha”. Gërdeci dhe 21 janari janë dy ngjarjet më të bujshme në 30 vitet e fundit dhe SPAK duket se është para provës së madhe.
PS apel për të hetuar Shkëlzen Berishën
Një ndër personat që është akuzuar shpesh se ka pasur rol në Gërdec është Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha. Ndaj tij mediat amerikane dhe gazetarë amerikanë kanë bërë shumë artikuj, ku e kanë akuzuar si të përfshirë në trafiqe armësh.
Berisha paditi një prej gazetarëve, por gjykata e rrëzoi. Ditën e djeshme, PS ka kërkuar nga SPAK që të marrë në dorë këtë vendim dhe të hetojë Shkëlzen Berishën. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, kreu i grupit socialist, Taulant Balla u shpreh se vendimi i drejtësisë amerikane, mbetet pikë referimi për rihapjen e hetimit.
“Një Gjykatë Apeli në SHBA rrëzoi pretendimet e Shkëlzen Berishës duke u shprehur se faktet e përmbledhura në librin “Armët dhe Çunat” të Guy Lawson dhe ekranizimin “Qentë e Luftës”, të cilat akuzonin Shkëlzen Berishën si i përfshirë në trafik ndërkombëtar armësh. Ky vendim gjykate edhe pse i karakterit civil, përmban në brendësi indiciet për ri-hapjen e hetimit ndaj Shkëlzen Berishës lidhur me përfshirjen e tij në atë tragjedi të rëndë”, tha ai. Sipas numrit dy të PS, Gjykata e Floridas është shprehur se Shkëlzen Berisha nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme që rrëzojnë përfshirjen e tij në këtë tragjedi.
Sipas tij, Shkëlzen Berisha u justifikua se gjykata nuk i la kohë mjaftueshëm për të sjell provat e nevojshme. “Gjyqtarët amerikanë në vendimin e tyre, kanë konfirmuar vendimin e Gjykatës së Floridas, duke u shprehur se Shkëlzen Berisha nuk solli prova që rrëzojnë faktet e publikuara dhe “nuk solli argumente të bazuara përmes të cilave të mbërrinte në përfundimin e se gjykata e distriktit Floridas abuzoi duke mos i dhënë kohën e duhur për të sjellë provat.
Shqiptarët e dinë se Shkëlzen Berisha u akuzua publikisht dhe u mor në pyetje në fshehtësi nga prokurorët për këtë çështje, për ngritjen e një magazine të paligjshme demontimi armësh, shpërthimi i të cilës shkaktoi krimin shtetëror të Gërdecit. Prokuroria asokohe, e vendosur nën thundrën e Sali Berishës, edhe pse me prova, nuk guxoi t’i komunikojë akuzën”, tha Balla.
Familjarët homazhe
Ditën e djeshme të gjithë familjarët e viktimave kanë shkuar me tufa lulesh në dorë përballë lapidarit ku janë shënuar emrat e viktimave të Gërdecit. Zamira Durda e cila humbi djalin e vogël në shpërthimin tragjik në një intervistë televizive u shpreh se akoma vijon që të kërkojë drejtësi për djalin e saj. Ajo ka paditur në SPAK funksionarët politik në atë kohë dhe shumë emra të tjerë të lidhur me ngjarjen.
“Djali ishte 7 vjeç e gjysmë shkonte ne klasë të parë dhe kishte dal të luante me biçikletë me kushërinjtë e vet. Deri tani kam marr veç tallje, kërkoj drejtësi për djalin tim”, tha ajo. Një tjetër familjar i cili edhe ai humbi djalin në tragjedinë e Gërdecit tha se edhe pas 13 vitesh nga ngjarja nga ana e drejtësisë nuk është bërë asgjë. “Djali ishte duke luajtur në rrugë dhe e kapi një nga predhat që shpërthyen. Pas 13 vitesh asgjë nuk ka ndodhur me drejtësinë, jemi njësoj si ditën e parë që shpërtheu Gërdeci”, tha ai.