Zbardhen kategoritë e zyrtarëve që pritet të hyjnë në listën e zezë të SHBA. Ambasada amerikane paralajmëroi dy ditë më parë se 14 emra janë shpallur “non grata”, ndërsa do ketë dhe shumë emra të tjerë. Por në videon e saj, SHBA ka bërë të ditur dhe kategoritë që do penalizohen në ditët në vijim: Ata që kanë kërkuar, pranuar apo dhënë para, dhurata apo përfitime të tjera personale në shkëmbim të favoreve të ofruara për shkak të postit: Ata që kanë përvetësuar fonde publike, ata që kanë ndërhyrë në procese gjyqësore, zgjedhore apo procese të tjera publike.
Por në këto 3 kategori, ka shumë pushtetarë që bëjnë pjesë. Te ata që kanë dhënë apo marrë para për të ofruar favore janë punonjësit e administratës, duke filluar që nga efektivë policie, te mjekë dhe drejtorë administrate. Po ashtu, në këtë mes janë dhe ministrat, ish-ministrat e Sekretarët e Përgjithshëm që mund të kenë abuzuar me emërim në këmbim të parave. Te kategoria e dytë, te ajo e emrave që kanë përvetësuar fonde publike, duket se penalizohen një pjesë shumë e madhe. Këtu futen të gjithë ata që janë akuzuar për abuzime me tenderat dhe projekte të tjera shtetërore. KLSH ka kallëzuar mbi 500 zyrtarë të lartë vitet e fundit dhe që të gjithë nuk mund të marrin dot vizë. Bëhet fjalë për disa ish-ministra të PD dhe PS, disa ish-kryebashkiakë po nga mazhoranca dhe opozita, për Sekretarë të Përgjithshëm dhe drejtorë të tjerë ministrish apo administrate. Pra kushdo që ka përfunduar në prokurori për abuzime me tenderat nuk e shkel dot tokën amerikane. Kategoria tjetër janë gjyqtarët dhe prokurorët. Janë rreth 70 emra që kanë ngelur në veting dhe që kanë rezultuar me probleme me pasurinë.
Asnjë prej tyre nuk merr dot vizë për të udhëtuar në SHBA. Tjetër kategori janë militantë e partive që janë përfshirë në blerje zgjedhjesh apo bllokim të tyre. Pra të gjithë ata që sulmuan KZAZ në qershor penalizohen. Po ashtu në listë ka dhe emra të tjerë që janë përfolur në media si të zhytur në afera. Sigurisht që nuk mbeten pas edhe disa deputetë, të cilët kanë pasur dikur poste ministrore. Sipas burimeve, një ish-ministri të qeverisë aktuale i është refuzuar viza nga ambasada, pasi ai është akuzuar për përfshirje në abuzime me tenderat. Sipas burimeve, kushdo që akuzohet publikisht për përfshirje në afera, do jetë “non grata” nga amerikanët.
Bllokimi i vizave
Vendimet e amerikanëve për të bllokuar vizat e të korruptuarve bazohen në dy aspekte. Së pari është ligji për buxhetin. Në sesionin 7031/c, përcaktohet qartë se Sekretari Amerikan i Shteti kur ka prova mund të shpallë non grata një person të përfshirë në afera. “Zyrtarët e qeverive të huaja dhe anëtarët e familjes së tyre, për të cilët Sekretari i Shtetit ka informacion të besueshëm se janë të përfshirë në korrupsion, përfshi dhe për nxjerrjen e burimeve natyrore, apo shkeljen e të drejtave të njeriut, u ndalohet hyrja në SHBA. Sekretari informon gjithashtu publikisht ose privatisht zyrtarët e qeverive të huaja dhe anëtarët e afërt të familjes, për të cilët ka informacion të besueshëm, nëse kanë aplikuar për vizë”, thuhet në ligj. Elementi tjetër është një vendim presidencial. Bëhet fjalë për vendimin 7750, i cili ndalon të gjithë shtetasit e huaj që të futen në SHBA nëse janë të korruptuar. Sipas tij, nuk do lejohen në SHBA nëpunësit publikë ose ish-zyrtarët publikë të cilët kanë kërkuar apo pranuar vlera monetare, ose ndonjë përfitim tjetër, në këmbim të një veprimi apo mosveprimi në kryerjen e funksioneve të tyre publike.
Po ashtu, personat të cilët përfitojnë ose ofrojnë vlera monetare apo përfitim tjetër, për çdo zyrtar publik në këmbim, të një akti apo lëshimi në kryerjen e funksioneve publike. Nëpunësi publik ose ish-zyrtari publik i cili ka shpërdoruar fondet publike apo ka ndërhyrë në proceset gjyqësore, elektorale, apo procese të tjera publike. Gjithashtu u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe e bashkëshortëve, të afërmve, familjarëve apo fëmijëve të personit që dyshohet se është i korruptuar, të cilët mund të kenë përfituar nga paratë e marra në mënyrë jo ligjore. /Kliti Topalli