SPAK ka marrë dje të pandehur gjyqtarin e Komisionit të Pavarur të Apelimit, Luan Daci. Vendimi i SPAK për të marrë të pandehur gjyqtarin e KPA, vjen pas vendimit të Gjykatës së Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të rikthyer në detyrë gjyqtarin Daci.
Përpos vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit, Daci është marrë i pandehur nga SPAK. Ditën e premte, më 24 Korrik 2020, gjyqtari i vetingut Luan Daci do të përballet në seancë me akuzën e ngritur për falsifikim të dokumenteve.
Më pas çështja do të kalojë në seancë paraprake ku do të vendoset nëse do të pushohet, do kalojë për gjykim, apo gjykata mund ta kthejë për plotësim hetimesh në prokurori. SPAK ka bërë me dije se gjyqtari Luan Daci ka falsifikuar dokumentacionin në momentin që aplikoi për t’u bërë pjesë e trupës së KPA-së. Në dokumentacionin e paraqitur në atë kohë nga gjyqtari i KPA ai fshehu faktin se kur ishte gjyqtar në Gjykatën e Tiranës në 1997, KLD-ja me propozim të ministrit të Drejtësisë e shkarkoi nga detyra për shkelje të ligjit dhe paaftësi.
Fillimisht Luan Daci u pezullua në 20 maj të këtij viti dhe u mor në hetim nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion, por Apeli e rrëzoi vendimin duke e rikthyer në detyrën gjyqtarin vetëm 2 javë më pas. Më 15 Korrik Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK kundërshtoi në Gjykatën e Lartë vendimin për rikthimin në detyrë të gjyqtarit të KPA-së, Luan Daci, duke i konsideruar argumentet e Apelit si sipërfaqësore dhe jo në përputhje me parashikimet e Kodit Penal për veprën e falsifikimit të dokumenteve.
SPAK u kritikua për pezullimin e Luan Dacit nga Theo Jacobs, i cili ka folur në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar. Jacobs akuzoi në tërësi SPAK dhe Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë edhe për vendimmarrjen në çështjen ndaj gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci.
I pyetur nga BIRN për këto komente drejtuesi i SPAK, Arben Kraja i kritikoi qëndrimet e Jacobs. “Prokurorët e SPAK janë të gjithë prokurorë që kanë kaluar vetingun me formë të prerë, përfshi kontrollin nga KLP dhe vetë Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ONM”, tha Kraja. Ai tha se prokurorët ishin të pavarur në vendimet e tyre dhe se i vetmi kontrollues ishte gjykata, ndërsa kritikoi komentet e Jacobs.