Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndarë ditën e djeshme mandatet për zgjedhjet e 25 prillit.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi bëri shpërndarjen e 140 mandateve, ku Partia Socialiste mori 74 mandate, Partia Demokratike dhe aleatët e saj morën 59 mandate, Lëvizja Socialiste për Integrim mori vetëm 4 mandate ndërsa Partia Socialdemokrate mori 3.
Kujtojmë se qarku i Shkodrës u fitua nga demokratët ku PD-AN arriti të siguronte 5 mandate. Po ashtu edhe në qarkun e Dibrës PD-AN arriti të merrte 3 mandate.
Sërish demokratët morën kryesimin edhe për qarkun e Lezhës ku PD-AN mori 4 mandate. Qarku i Kukësit është qarku i fundit ku PD-AN rezultoi fitues me 2 mandate. Ndërsa sa i përket PS, ajo kryesoi në qarqet Tiranë me 18 mandate, Durrës 8 mandate, Elbasan 8 mandate, Korçë 6 mandate, Berat 5 mandate, Gjirokastër 3 mandate, Fier 8 mandate dhe Vlorë me 8 mandate.
Ndërkohë pak ditë më parë kryeministri Edi Rama njoftoi se do të merrte mandatin në Durrës, duke e lënë atë të Vlorës. Pritet që mandatin e deputetit në qarkun e Vlorës ta marrë Teuta Ramaj. Kurse kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi pranoi mandatin në Fier, duke e lënë mandatin e Tiranës për Petrit Vasilin.
Mandati nuk i kaloi kreut të PSD-së, Tom Doshi, pas dorëheqjes zyrtare të depozituar prej tij pranë KQZ-së, ndërsa kryeparlamentari Gramoz Ruçi e mori mandatin e Fierit edhe pse kishte njoftuar tërheqjen nga politika pak kohë më parë, megjithatë pritet që ta zëvendësojë Mirela Pitushi.
Certifikimi final i rezultatit në rang kombëtar sa u përket forcave politike, do të bëhet ditën e hënë nga Komisioni Rregullator i KQZ-së. Për miratimin e vendimit nevojitet shumica e thjeshtë e 3 nga 5 anëtarët.
Ndarja e PD me aleatët
Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka kërkuar që aleatët e saj të mos njihen si deputetë të PD. Kreu i KQZ Ilirjan Celibashi, u shpreh se pretendimi i PD për përkatësinë politike të kandidatëve kur janë në një koalicion, është një pretendim që qëndron dhe do të reflektohet në zgjedhjen e projekt-aktit.
Sipas tij në rast kur kandidatët janë pjesë e një koalicioni, do të përcaktohet edhe partia politike në të cilën bën pjesë ai kandidat fitues. “Vlerësojmë që pretendimi i PD me lidhje me përcaktimin e përkatësisë politike të kandidatëve fitues të rastit, kur këto parti politike janë pjesë të një koalicioni qëndron dhe do e reflektojmë në zgjedhjen e projekt aktit.
Në rastet kur kandidateët fitues janë pjesë e listës shumëemërore të një koalicioni, do të jetë e përcaktuar dhe partia politike ku i përket ai fitues. Në lidhje me numrin e mandateve, të cilat iu shpërndan çdo subjekti zgjedhor për çdo qark”, tha Celibashi.