Ndërsa në Kuvend po zhvillohet edhe seanca e jashtëzakonshme për projektrezolutën që dënon aktin e Presidentit Meta që refuzoi të njohë Arta Vorpsin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese dhe dekretoi Marsida Xhafellarin, Taulant Balla solli në vëmendje rastin e Ukrainës si një formë zgjidhjeje.
“Në Ukrainë Parlamenti refuzoi që anëtaret e Gjykatës Kushtetueses të bënin Betimin, për këtë arsye ata e bënë tek Gjykata Kushtetuese”, tha Balla, duke vënë në dukje se ndryshe nga Shqipëria, ku betimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese duhet bërë në Presidencë, në Ukrainë duhej bërë para Kuvendit.
Në rend dite për sot do të jenë diskutime për dekretin e Presidentit për caktimin e Marsida Xhafellarit si anëtare të Gjykates Kushtetuese, i cili është cilësuar nga maxhoranca si i papranueshëm. Në projekt-rezolutën e hartuar nga socialistët, ata i bëjnë thirrje Presidentit që të të heqë dorë nga tentativat dhe aktet që bllokojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi.
“Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të ushtrojë detyrat e tij kushtetuese në lidhje me fillimin e detyrës së gjyqtareve kushtetuese Znj. Arta Vorpsi, Znj. Elsa Toska dhe Znj. Fiona Papajorgji. Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të heqë dorë nga tentativat dhe aktet që bllokojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe funksionimin normal të organeve kushtetuese ku një prej më të rëndësishmeve është Gjykata Kushtetuese.Kuvendi i Shqipërisë në mënyrë të përsëritur i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërrmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës.”, shkruhet më tej në projekt-rezolutën që diskutohet sot.