Operacioni Forca e Ligjit i servirur nga qeveria në fillim të këtij vitit, duket se ka rezultuar pa suksese. Këshilli i Ministrave ka miratuar në fillim të këtij viti një akt normativ që synon të luftojë krimin e organizuar, duke goditur pasurinë e tij sipas parimit “Ndiq paranë”.
Operacioni është emërtuar “Forca e Ligjit” dhe për të është ngritur edhe një strukturë e posaçme. Struktura e posaçme e Policisë së Shtetit parashikon kontrollin e pasurive të personave që janë dënuar për vepra të rënda penale në vitet e shkuara. Operacioni parashikon sekuestrimin e pasurive në rastet e dyshimeve, madje duke përfshirë edhe familjarët dhe bashkëpunëtorët që dyshohet se kanë përfituar nga pasuria e paligjshme që mund të ketë venë subjekti.
Por prej shkurt 2020 deri tani që flasim, ende asnjë proces gjyqësor nuk ka përfunduar me konfiskim të pasurisë për llogari të shtetit. Janë 192 kërkesa që ka trajtuar Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, nga të cilat ka kërkuar 49 konfiskime, por janë ende në proces. Sipas ligjit pasuritë e sekuestruara kthehen në kopshte, çerdhe, shkolla apo rajone policie.
Objekti i parë sekuestruar me OFL ishte resorit “Golden” i Hajrave, i cili aktualisht është i hapur nën administrimin e Agjencisë së Aseteve të Sekuestruara. Mirëpo në kushtet kur deri më tani nuk ka asnjë pasuri të konfiskuar të vënë nga burime kriminale, për shkak se SPAK ia ka kthyer mbrapsht shumicën e kërkesave policë, mund të themi se Operacioni Forca e Ligjit ka rezultuar një dështim.
Dhe sikur të mos mjaftonte kjo një tregues se OFL nuk arriti ato pritshmëri e tregon edhe fakti se akti normativ përcaktonte si afat të përkohshëm (31.12.2020). Kjo do të thotë që në fund të këtij viti Operacioni Forca e Ligjit skadon dhe nuk ka më tagër që të jetë në terren, për të luftuar krimin e organizuar, premtim të cilin e bën publik dhe ka pasur si kryefjalë kjo strukturë. Madje, referuar të gjitha deklaratave dhe bilancit të policisë, janë shumë subjekte krimi që nuk iu ka trokitur ende OFL për t’ju kërkuar llogari për pasuritë.
Kërkohet zgjatje e mandatit për OFL
Por në kushtet kur prej 1 janarit të vitit që vjen s’do të dërgohet më asnjë formular për në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit, gazeta ka mësuar që pas disa ditëve të vendoset ndërhyrja në ligj për të zgjatur vetëm afatin e proceseve në hetim dhe ato në gjykim deri në përfundim të tyre. Nga ana tjetër për subjektet e OFL-së do të vendoset edhe kushti për t’u përjashtuar përjetësisht nga tenderat publik dhe ofrimin e shërbimeve publike. Pra, pritet të kërkohet zgjatje e mandatit të Operacionit Forca e Ligjit, në mënyrë që të japin llogari të gjithë për pasuritë e dyshimta.
Kujtojmë që OFL fillimisht të gjithëve iu jep mundësia që të bëjnë deklarimin lidhur me pasurinë që kanë. Në rast se nuk e faktojnë burimin e pasurisë së tyre, atëherë nis një proces institucional që në fund finalizohet ose me lejimin e shfrytëzimit të pasurisë ose me konfiskimin dhe kalimin e saj në favor të shtetit. Megjithatë, deri më tani Operacionit Forca e Ligjit nuk ka rezultuar i suksesshëm dhe në duhet të presim në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.
Pak muaj më parë edhe kryeministri Edi Rama dha detaje se si do të operojë OFL-ja. “Një letër do u drejtohet këtyre subjekteve dhe brenda 48 orëve do u kërkohet të plotësojnë kërkesat e formularit për burimin e pasurisë së tyre dhe pastaj formulari do të shkojë te SPAK-u dhe nga SPAK- u në gjykatë dhe ata do të duhet të vijnë para gjykatësit dhe të tregojnë sa fort kanë punuar tokën dhe sa shumë ullinj dhe portokalle kanë mbledhur, sa shumë vite kanë bërë roje natën në objekte, sa shumë janë lodhur dhe stërmundur në fasoneri, sa shumë kanë kursyer nga puna e tyre e stërndershme brenda apo jashtë vendit, nëse duan ti mbajnë ato pasuri, për ndryshe gjithçka që kanë sot, nesër do të jetë pronë e shtetit dhe në radhë të parë e policisë së shtetit”, deklaroi Rama./Rigels Seliman