Pronarët e lokaleve dhe restoranteve në Lungomare të Vlorës, i janë drejtuar me një letër zyrtare kryeministrit Edi Rama, ku kërkojnë zgjatjen e orës policore për të mbajtur hapur lokalet dhe muzikën deri në orën 24:00.
Sipas tyre situata aktuale, ku muzika lejohet deri në orën 22:00, ndërsa lokalet lejohen të qëndrojnë hapur deri në orën 24:00, është e patolerueshme. Në kërkesë theksohet se në disa vende si në Gjirin e Lalzit shumë lokale qëndrojnë të hapur deri në orën 2 të mëngjesit.
Pronarët e bizneseve kanë kërkuar që të shfuqizohet akti normativ që i pengon ata që të ushtrojnë aktivitetin e tyre. Ndërsa po ashtu, ata kanë kërkuar që të lejohet që aktivitetin ta ushtrojnë ato biznese që plotësojnë kushtet dhe që respektojnë masat. Ata akuzojnë policinë për sjellje jo etike dhe se në disa raste i ka dhunuar ata verbalisht e psikologjikisht.
Ndër të tjera, pronarët në kërkesën drejtuar kryeministrit thonë se në rast se kërkesa e tyre nuk do të merret ne konsideratë, ata do të mbyllin bizneset dhe do të përshkallëzojnë më tej duke mos paguar taksat dhe detyrimet. “Kufizimet e vendosura janë absurde dhe po veprohet në mënyrë të padrejtë dhe preferenciale. Bizneset tona mbyllen me dhunë në orën 24:00 kur është kulmi i lëvizjes së qytetarëve dhe kjo gjë është totalisht e papranueshme dhe e pahijshme për imazhin e turizmit në qytetin tonë.
Ndërkohë, Tirana vazhdon me grumbullime masive me qindra e mijëra njerëz. Me dhjetëra biznese në Tiranë dhe në Gjirin e Lalzit ku festohet deri në orën 02:00 të mëngjesit me muzikë live dhe me qindra persona pjesëmarrës. Ju lutemi shfuqizoni aktin normativ që kufizon të drejtën tonë që të ushtrojmë të lirë aktivitetin tonë jetik.
Lejoni ushtrimin e aktiviteteve muzikore në vende që plotësojnë kushtet të paktën deri në orën 24: 00. Në të tilla kushte trysnie ne nuk kemi si të jemi një vend me turizëm konkurrues në rajon”, thuhet në kërkesën drejtuar kryeministrit.
Shoqata e Biznesit kërkon heqjen e masave
Ndërkohë edhe Shoqata e Biznesit ka kërkuar që të hiqet ora policore. Në letrën drejtuar ministrisë së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe duke vënë në dije zv. ministren Mira Rakacolli, thuhet se është e nevojshme që të merren masa lehtësuese.
Shoqata ka paralajmëruar se nëse nuk do të ketë reagim, lënë mundësinë e hapur për përshkallëzim të bizneseve. “E nderuar znj.ministre Ogerta Manastirliu dhe përfaqësues të Komitetit Teknik të Ekspertëve, ora policore ende në fuqi, na privon të zhvillojmë normalisht aktivitetin tonë ekonomik, brenda orarit të lejuar nga institucionet, na vështirëson së tepërmi ekonominë, gjë e cila reflektohet edhe te të ardhurat familjare të çdo drejtuesi biznesi.
Për këtë arsye kërkojmë të rishikohen masat në fuqi, duke pasur parasysh edhe numrin e ulët të rasteve me infektime nga Covid 19, ashtu sikurse edhe vdekshmërinë. Goditja që kemi marrë nga një vit mbylljeje për shkak të pandemisë së Covid-19, dhe orës policore ende në fuqi, do të na e vështirësojë akoma dhe më shumë ekonominë dhe financat”, thuhet në kërkesë.