Qeveri ka vendosur të heqë akcizën e karburantit dhe taksat për të gjithë fermerët në vend. Shumë herë më radhë dhe sidomos gjatë periudhës së pandemisë, qeveria është akuzuar se ka lënë në baltë fermerët, madje dhe disa prej tyre kanë treguar se nuk kanë pasur përkrahje.
Kështu në mbledhjen e ditës se djeshme kryeministri u ktheu përgjigje të gjithë këtyre zërave, kur deklaroi se nga viti që vjen fermerëve do t’u falen taksat për qarkullimin dhe emetimin e karbonit dhe nuk do të paguajnë më akcizën për karburant.
Për të qenë i qartë se si do të veprohet që fermerët të përfitojnë nga këto lehtësi fiskale, kryeministri Edi Rama, shpjegoi se për çdo fermerë do të llogaritet sasi e naftës që i duhet për sipërfaqen e tokës që ai punon dhe në këtë mënyrë do bëhen përllogaritjet për të nxjerrë se sa përfiton ky fermer.
Ndërsa tregoi se këto veprime do të brehen përmes një karte të veçantë për fermerët, Rama tregoi se edhe çmimi i naftës do të jetë i përgjysmuar për ta. “Lajm pozitiv dhe i shumëpritur për fermerët dhe ka të bëjë me karburantin. Nuk mund të bëheshin as vjet as parvjet as 5 apo 7 vjet më parë pasi e gjithë lëvizja jonë drejt të ardhmes ka qenë e bazuar mbi një plan strategjik mbi hapa që janë hedhur me radhë për të ardhur në kushtet kur krijojmë një mundësi të re për vendin dhe për njerëzit.
Sot do të ndërhyjmë për të filluar një regjim të ri për karburantin në regjim bujqësor. Do të heqim nga karburanti për prodhim bujqësor akcizën, taksën e qarkullimit, nga karburanti do të hiqet edhe taksa e karbonit. Do të ulim gjysmë për gjysmë mesatarisht çmimin e karburantit për fermerët. Për çdo fermer që punon tokën, llogaritet sasia e naftës që i duhet për sipërfaqe.
Barra fiskale do të përjashtohet dhe do të konvertohet në sasinë e konvertuar në bazë të kritereve, përmes një karte të veçantë për çdo fermer”, tha Rama. Ndërsa shtoi më tej se qeveria do të ketë lehtësira të tjera për fermerët ashtu siç bëri me bizneset në tërësi për faljen e taksave dhe rritjen e rogave për dy kategori të rëndësishme, mësuesit dhe mjekët.
Ja skema e rimbursimit
Më tej kryeministri shpjegoi për të gjithë se, monitorimi në terren do të bëhet on-line përmes të dhënave që po mbledh Ministria e Bujqësisë, që sigurisht do verifikohen përmes numrit personal NIPT. Sakaq kryeministri tregoi se skema e rimbursimit dhe lehtësirave fiskale do të zgjerohet dhe do të përfshijë një numër më të madh përfituesish nga sa ka qenë deri më tani.
“Potenciali i skemës është për të shkuar më tej, 47 mijë fermerë të cilët e kanë niptin prej kohësh dhe e kanë parë që ajo sjell vetëm mundësinë për të pasur akses në të gjitha mbështetjet e mundshme financiare që mund të merren nga shteti. Për monitorimin në terren për naftën gjithçka do të jetë on-line ku të dhënat do të grumbullohen në një tabletë, ku ka filluar puna nga ministria e Bujqësisë”, tregoi kryeministri.
Sakaq kryeministri theksoi këtu se, procesi on-line dhe përmes kartës së veçantë identifikuese do të eliminojë të gjitha problematikat dhe “vjedhjet”, që u bëhej fermerëve në rimbursimin e naftës. Pasi në vitin që vjen sasia që do rimbursohet do jepet nga shtetit në bazë të të dhënave të lartpërmendura dhe fermerët nuk do të paguajnë asnjë faturë.
Kështu përfituesit nuk do të kenë mundësi të përdorin naftën e rimbursuar për makinat personale. “Duke filluar nga fillimi i viti të ardhshëm nafta për prodhime bujqësore do të jepet falas pa akcizë dhe pa taksën e karbonit dhe pa taksën e qarkullimit, duhet të keni parasysh se sasia kompensuese e çmimit për sasinë e tokës së punuar do të jepet nga shteti nuk do të ketë fare nevojë për fatura, marrja e rimbursimit që kanë krijuar problematikën e naftës pa akcizë në të shkuarën, ku në shumicën e rasteve shkonte për karburant për makinat.
Me këtë skemë u japim fermerëve mundësinë të mos ketë probleme burokratike, kanë NIPT-in, futen në platformë. Sasia që do të harxhojë për barrën 50 % mbi çmimin do të jepet falas”, shpjegoi kryeministri./ ESMERALDA HIDA