Ditën e enjte, ish-Zv/ministri i Shëndetësisë dhe anëtar kryesie i LSI, Klodian Rrjepaj, është thirrur përsëri nga prokurorët e SPAK, Elida Kaçkini, Edvin Kondili e Ened Nakuçi, lidhur me “rrjepjen” e 220 milionë Euro, me PPP për “Check-up” dhe “Sterilizimi i Pajisjeve Kirurgjikale”.
Prokurorët i janë rikthyer marrjes në pyetje të ish-sekserit të Monika Kryemadhit e Petrit Vasilit në shëndetësi, pasi 1 javë më parë, agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, kanë pyetur për procedurë para- hetimore edhe ish-Ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja.
Beqjes, i është kërkuar të konfirmonte nëse janë firmat e tij, ato që janë hedhur në urdhrat, procedurat për tenderin dhe te kontrata e datës 12.12.2015 për PPP-në “Sterilizimi i Pajisjeve Kirurgjikale” 90 milionë Euro, dhënë firmës “Sani Servic Sh.p.k, por dhe për faktin se përse kontrata brenda dosjes është e pa noterizuar
Për të njëjtat gjëra, Ilir Beqja është pyetur edhe për kontratën e koncesionit “Check-up” të emërtuar ”3P Life Logistic Shpk” me vlerë 130 milionë Euro, dhënë Vilma Nushit dhe e nënshkruar në emër të saj prej shtetasit Altin Fani.
Kontakti i agjentëve të BKH me ish-ministrin e kallëzuar penalisht, është bërë para thirrjes së zv/ministrit Klodian Rjepaj, i cili në deklarimin e parë, ia ka lënë përgjegjësinë e plotë Ilir Beqjas, ndërsa veten e ka konsideruar “mbikëqyrës e zbatues verbal të procedurave”.
Ndërsa kur është pyetur më 14 prill 2016 nga Prokuroria e Tiranës, Klodian Rrjepaj në atë kohë zv/ministër bashkë me Ilir Beqjan, nuk ka dhënë asnjë dëshmi konkrete, kurse hetimi u la në heshtje deri para 1 viti, kur për Beqjan e koncesionet u regjistruan 3 kallëzime në SPAK.
Këtë herë, duke parë që Ilir Meta e Monika Kryemadhi nuk kanë më fuqi ta mbrojnë, por dhe duke parë se dy LSI-stët Lefter Koka e Alqi Bllako përfunduan në burg për PPP, ish-zëvendësministri Klodian Rrjepaj, ka vendosur të shpëtojë “lëkurën” e tij.
Burime të “Pamfleti”-t, kanë bërë me dije, se ditën enjte, ky ka dorëzuar te prokurorët e SPAK, një dosje me dokumente e regjistrime “audio”, që provojnë se ish-shefi i tij Ilir Beqja, është urdhëruesi dhe organizatori i dy aferave me PPP-të.
Ndërsa për vete, ka deklaruar se ka qenë zbatues urdhrash e mbikëqyrës procedurash vetëm nga ana ecurisë së afateve kohore për procedurat e tenderimit, por pa asnjë rol në hartimin e kostove.
Madje ish-zv/ministri Klodian Rrjepaj, para prokurorëve të SPAK, ka përmendur si zbatues bashkëpunëtor me Ilir Beqjan, dy zyrtarët e lartë të Ministrisë së Shëndetësisë, Saimir Kadiu dhe Naile Ajazi, të cilët hartuan preventivët e specifikimet, si dhe anëtarët e komisionit të tenderit, Arben Gjata, Petro Mersini e Genc Byrazeri, ky i fundit djalë daje i Ilir Beqjas.
Pas dosjes që ka dorëzuar ish-zv/ministri, SPAK ka nisur procedura për ta marrë nën hetim e për të shpallur “të pandehur” Ilir Beqjan, si organizator, urdhërues e firmosës i këtyre 2 aferave korruptive me vlerë totale 220 milionë Euro.
Dhe për këto PPP, ashtu si për landfillet, kryeministri Edi Rama do deklarojë, se nuk ka pasur dijeni dhe nuk i njeh përfituesit, paçka se ka pozuar krahë- qafë me Ilir Rrapajn e PPP-Pajisjeve Kirurgjikale, ndërsa me Vilma Nushin e “Check-up” dihet që kanë lidhje të afërta./Pamfleti