Mbrëmjen e djeshme, një ngjarje e rëndë u regjistrua në lagjen “5 Maji”, ku u vra 27-vjeçari Mehmet Qema, i cili nuk është një fytyrë e panjohur për publikun. Autori i dyshuar i ngjarjes është shoku i tij Marjus Dema.
Qema mësohet se shoqërohej me reperë të njohur, si dhe ka dalë në disa videoklipe. Së fundmi ai ishte shfaqur në një videoklip të moderatorit Meriton Mjekiqi dhe reperit Meriton Ademi.
Gazeta ka siguruar një foto ku shihet viktima i ulur në tavolinë bashkë me 4 të rinj të tjerë vetëm pak momente para se të ndoshte ngjarja.
Ndërkohë, autori i dyshuar i krimit, Marjus Dema, është në këmbë me armë në dorë pak çaste përpara se të qëllonte të riun në gjoks.
Dinamika e ngjarjes u zbardh nga Policia e Tiranës falë kamerave të sigurisë së lokalit, nga prej është shkëputur edhe kjo foto sekuencë.
Sikurse duket në pamje, autori i dyshuar mban në dorë një pistoletë, me të cilën mendohet se është kryer krimi.
Deri tani vrasja e 27-vjeçarit dyshohet të ketë ndodhur aksidentalisht, por nuk përjashtohet as ndonjë konflikt i çastit.
Autori, i cili është arratisur dhe është shpallur në kërkim, akuzohet për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje.
Në kërkim janë shpallur edhe 5 persona të tjerë, të cilët kanë qenë pjesë e së njëjtës tavolinë. Ata janë E.P. 27 vjeç, B.H. 28 vjeç, B. A. 23 vjeç, F. M. 29 vjeç dhe Xh. K. 19 vjeç, të cilët akuzohen për moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.