Bie piramida e gjithë gjyqtarëve që shpëtuan presidentin Ilir Meta nga afera e videos 700 mijë euroshe me Dritan Priftin. Meta në vitin 2011, në atë kohë në koalicion me Partinë Demokratike, u filmua në zyrën e të ndjerit Dritan Prifti, ministër i Energjisë, ku bëheshin pazare për një tender nga i cili Meta do të merrte 700 mijë euro.
Por pavarësisht se çdo gjë doli me zë e me figurë, presidenti ja arriti të dalë i palagur. Ardian Dvorani pak ditë më parë, si relator i çështjes, bëri deklarata të forta duke treguar se ai proces ishte i ndikuar politikisht. Nga ana tjetër, faktet tregojnë se gjithë kupola e Gjykatës së Lartë që nxori Metën të pafajshëm, sot është jashtë sistemit të drejtësisë.
Trupa gjyqësore e çështjes Meta-Prifti përbëhej nga: Ardian Dvorani; Gani Dizdari; Majlinda Andrea; Arjana Fullani dhe Guxim Zenelaj. Ndërkohë kryetare e Gjykatës së Lartë në atë kohë ka qenë Shpresa Beçaj. Dvorani është i vetmi që doli me mendim paralel duke rrëzuar ekspertizën e ekspertëve të “Kristalit”, por kërkoi ekspertizë nga SHBA. Nëse do ishte pranuar kërkesa e tij, Meta sot mund të ishte i dënuar. Nga ana tjetër, gjithë emrat e tjerë kanë ngelur në veting ose kanë dhënë dorëheqjet nga frika e ndëshkimit.
Por ajo që i ka vënë kapak shembjes së piramidës është Shpresa Beçaj, ish-kryetare e Gjykatës së Lartë. Dje Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e shkarkoi atë nga detyra. Shpresa Beçaj shënoi rastin unik, ku tentoi të kalonte vetingun duke mos deklaruar pasurinë dhe pastërtinë e figurës. Në seancë dëgjimore KPK bëri me dije se gjyqtarja nuk ka deklaruar asnjë formular dhe për këtë arsye ajo është shkarkuar nga detyra. Beçaj justifikoi me argumentin se kur nisi vetingu nuk ka qenë gjyqtare dhe se është emëruar vetëm në fund të 2019. Megjithatë sipas KPK mosdeklarimi i pasurisë sjell automatikisht shkarkim nga detyra.
Lidhjet me Metën
Shpresa Beçaj ishte tulla e fundit e piramidës së gjyqtarëve që shpëtuan Metën nga ndëshkimi. Së pari Shpresa Beçaj ishte kryetare e gjykatës në atë kohë. Roli i saj në gjykatë patjetër që ishte i rëndësishëm dhe nëse ajo do të donte, mund të kishte shënuar ndëshkimin e parë të një zyrtari të lartë. Por e bukura është se Beçaj përmendet në videon e famshme Meta-Prifti.
Gjatë bisedës së Metës me të ndjerin Prifti, ka një mosmarrëveshje për tenderin e hidrocentralit, pasi kompanitë e interesuara kanë shkuar në gjykatë. Kompania të cilën donte Meta të fitonte kishte humbur në Shkallën e Parë, por kishte fituar në Apel. Meta i kërkon Priftit që t’ia japë tenderin, por ai shprehet se çështja do shkojë më tej, pra në Gjykatën e Lartë.
Por Meta shprehet: “Ata le ta çojnë, por prapë do të mbyllet. Do flas unë me Shpresën. I kam marrëdhëniet shumë të mira, i çova vajzën në ambasadë”. Shpresa që përmendet në video dyshohet se është pikërisht gjyqtarja pasi vajza e saj ishte në Ambasadën shqiptare në Vjenë dhe në Gjykatën e Lartë vetëm ajo ishte me këtë emër.
Shkërmoqja e trupës gjykuese
Të gjithë atë që dolën pro Metës në gjykatë, sot janë jashtë sistemit të drejtësisë. Ish-anëtarët Arjana Fullani dhe Guxim Zenelaj dhanë menjëherë dorëheqjet nga detyra dhe KPK u detyra të ndërpresë vetingun për ta. Një tjetër emër është Gani Dizdari. Ky i fundit hyri në veting, por u zbulua me shumë shkelje dhe u shkarkua në të dyja shkallët.
Emri i fundit është Majlinda Andrea, gjyqtarja që u përfshi në afera korruptive dhe u dënua nga gjykata me burg. Ndërkohë së fundmi kemi shefen e tyre në atë kohë, që shkarkohet duke treguar dhe një herë se Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë kanë qenë gangrena e korrupsionit.