Kurba e numrit të të infektuarve ka rënë ditën e djeshme krahashuar me atë të dy ditëve më parë ku u shënua numri më i lartë i të infektuarve gjatë gjithë periudhës së pandemisë, përkatësisht 82 raste, ndërkohë që ditën e djeshme u shënuan 32 raste me pak, pra sipas Ministrisë së Shëndetësisë dje janë shënuar 50 raste të reja me COVID-19.
“Në 24 orët e fundit, si rezultat i 333 testeve janë konfirmuar pozitivë me COVID-19, 50 persona, si raste kontakti, por edhe vatra të reja, për të cilën ministria shprehet se ka nisur një hetim epidemiologjik. Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një paciente nga Tirana, 82-vjeçe e cila ishte shtruar në Spitalin Infektiv, duke e çuar në total numrin e personave që kanë humbur betejën me këtë virus në 38”, ka bërë me dije MSH.
Sakaq qyteti i Shkodrës mban numrin më të lartë të rasteve të reja, 12 në total ditën e djeshme, e më pas ndiqen nga Tirana me 11 raste, 7 në Vlorë, 6 në Krujë, 5 në Korçë, 4 në Durrës, nga 2 raste në Pukë dhe Kurbin dhe 1 rast në Lushnje. Numri i pacientëve të shëruar vijon të jetë i ulët krahasuar me ata pozitivë, ku ditën e djeshme janë shëruar 13 qytetarë, 1077 që nga fillimi i pandemisë.
Ndërkohë, ka pësuar një rritje numri i pacientëve që ndodhen në terapi intensive, pra në gjendje më të rëndë. Aktualisht në shërbimin infektiv po marrin shërbim 53 pacientë, 9 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 3 janë të intubuar. “Ju lutemi respektoni rregullat. E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike prej 1.5 metër nga njëri-tjetri, duke ruajtur higjienën personale dhe duke larë duart vazhdimisht, bizneset dhe institucionet duke respektuar protokollet e përcaktuara.
Maskat janë një domosdoshmëri për t’u mbajtur dhe mos i harroni kur dilni nga shtëpia. Vendosini ato kudo ku ambienti është i mbyllur, në spitale, qendra shëndetësore, dyqane, supermarkete, parukeri, taksi, ambiente pune, zyra shërbimesh”, ka deklaruar MSH.
Policia ndëshkime për protestat
Ditën e djeshme ishte Shoqata e Transportit që ka zhvilluar një protestë edhe pse kryeministri Edi Rama paralajmëroi që tubimet do të ndalohen si pasojë e rritjes së rasteve. Sakaq një grup studentësh të Lëvizjes për Universitetin janë mbledhur dje para Ministrisë së Arsimit për të dorëzuar një peticion ku kërkonin anulimin e tarifave.
Policia e Shtetit ka reaguar dje duke lajmëruar se ka “ndëshkuar” protestuesit, 11 gjithsej, ku katër prej tyre ishin studentë dhe 7 ishin nga protesta e Shoqatës së Transportit. “Policia e Tiranës shpërndau dy tubime të paligjshme të zhvilluara njëkohësisht para Ministrisë së Infrastrukturës dhe asaj të Arsimit, si dhe procedoi 11 persona të identifikuar si organizatorë, për “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme”.
Grupi i parë i protestuesve që ishte mbledhur para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, përbëhej nga disa punonjës të Shoqatës së Transportit Publik, të cilët kanë kërkuar që të lejohet lëvizja e mjeteve të transportit publik. Ndërsa një grup studentësh protestuan para Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, duke kërkuar uljen e tarifave të studimit.
Gjatë zhvillimit të tubimeve, në të dy rastet, policia para se të ndërhynte për të shpërndarë tubimet, ka bërë thirrje me megafon që protestuesit të shpërndahen, të mbajnë distancë sociale nga punonjësit e Policisë dhe nga njëri-tjetri, duke i paralajmëruar se në rast mosbindje, do të ndërhyjë në bazë të ligjit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit./Sot/ ARBJONA ÇIBUKU