Komisioni i Venecias publikon sot dhe nesër vendimet përfundimtare për paketën anti-shpifje dhe emërimet në Gjykatën Kushtetuese.
Më konkretisht sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit, ditën e sotme do të miratohet opinionin përfundimtar sa i takon nismës së mazhorancës për gjobat ndaj portaleve, ndërsa ditën e nesërme do të merret vendimi për ndryshimet ligjore të kërkuara nga Partia Socialiste për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Prokurorisë së Përgjithshme, SPAK, etj.
Komisioni i Venecias duhet të ishte mbledhur më herët për këto çështje, por për shkak të situatës së pandemisë së Covid-19 ai do të mblidhet në 18 dhe 19 qershor për të diskutuar disa çështje që ka në tryezë të dërguara nga disa vende të ndryshme, mes tyre edhe Shqipëria. Venecia në raportin paraprak vlerësoi se veprimet e kreut të shtetit, për këtë çështje, janë përgjithësisht në përputhje me një interpretim të arsyeshëm të Kushtetutës. Megjithatë, mazhoranca është e bindur që kreu i shtetit ka shkelur Kushtetutën me anulimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, ndërsa shpreson që raporti përfundimtar i Venecias të ndryshojë nga ai paraprak që i jepte të drejtë presidentit Ilir Meta për vakancat në Gjykatën Kushtetuese.
Komisioni hetimor në provë
Por fakti që Komisioni i Venecias do të dorëzojë më 18-19 qershor 2020 opinionin përfundimtar në lidhje me çështjen e dërguar për emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe për paketën anti-shpifje, do të thotë se këto 2 vendime pritet t’i japin zgjidhje debatit mes kreut të shtetit dhe mazhorancës, lidhur me betimin e Arta Vorpsit dhe nëse zgjedhja e Marsida Xhaferllarit ka qenë përtej afateve të përcaktuara në Kushtetutë.
Këto emërime nxitën tensione të mëdha në skenën politike shqiptare, ku vetë presidenti Meta akuzoi Parlamentin dhe KED, se po bënin “puç” për kapjen e Kushtetueses dhe kompetencave të tij, ndërsa palët iu drejtuan Komisionit për të vendosur kush ka të drejtë. Mirëpo, tani që Komisioni i Venecias do të flasë, “fati” i Ilir Metës është në dorë të komisionit hetimor. Pra, ky i fundit tanimë do të jetë përballë një prove të madhe, pasi do të vendoset përfundimisht nëse do të shkarkohet apo jo presidenti Ilir Meta nga detyra, duke qenë se shumica e akuzon qartazi kreun e shtetit se shkeli Kushtetutën kur anuloi zgjedhjet.
Megjithatë, mbetet të shihet se çfarë vendimi do të japë Komisioni i Venecias dhe se si do të veprojë Partia Socialiste më tej. Kujtojmë që, prej gati një viti Presidenca dhe shumica socialiste janë në luftë me njëra-tjetrën, ç’ka detyroi këtë të fundit që të ngrinte një komision hetimor për presidentin Meta. Por vonesat që ndodhën në fillim të sesionin parlamentar të vjeshtës që lamë pas, tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia e koronavirusit bëri që komisioni hetimor të shtyjë afatet në tre raste.
Momentalisht afatet e komisionit hetimor që po heton Metën skadojnë në 8 korrik. Nga ana tjetër, Venecia përmes vendimit të sotëm pritet t’i japë fund edhe debatit për paketën anti-shpifje. Paketa “anti-shpifje” e propozuar nga qeveria dhe kryeministri Edi Rama ka ngjallur reagime dhe përplasje të forta në Shqipëri, pasi është kundërshtuar nga opozita, analistët, gazetarët e shoqëria civile, të cilët e shohin paketën si cenim të fjalës së lirë dhe kontroll të qeverisë ndaj mediave.
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, pjesë e së cilit është edhe vetë Komisioni i Venecias ka kërkuar mendimin e ekspertëve. Ndërkohë që, Këshilli i Europës iu kishte dërguar autoriteteve shqiptare disa amendime për këtë paketë, por nuk u morën parasysh nga mazhoranca gjatë diskutimit në Parlament. Për këtë arsye Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës i është drejtuar Komisionit të Venecias, ndërsa PS është në pritje të opinionit të këtij të fundit./ RIGELS SELIMAN