Pas dy javësh në luftë me COVID-19, drejtori i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj është shëruar plotësisht nga koronavirusi.
Ai u shpreh se tani ndjehet më mirë, ndërsa po vazhdon të punojë nga shtëpia.
Brataj e kaloi karantinimin në shtëpi, duke mos patur nevojë për të qëndruar në spital
I pyetur se si e shihte situatën në këto momente, ai tha se qytetarët kanë ndihmuar shumë që të mos përhapet koronavirusi.
“Ka patur përgjigje pozitive nga qytetarët për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, askush nuk mund ta dijë nëse do infektohet ose jo”, tha Brataj.
Brataj foli edhe për situatën e mjekëve të infektuar, ku tha se në të gjithë botën ka mjekë të infektuar, shumica e rasteve ka ndodhur se pacientët nuk kanë treguar.
“Çdo njeri e trajton sipas mendjes vet, por duhet ta dinë se trajtimi është njësoj për të gjithë.
Kjo nuk ndodhi vetëm te ne, në Itali kishte shumë raste që pacientët fshihnin të vërtetën. S’ka vend të botës që të mos jetë infektuar personel shëndetësor.
Fatmirësisht në personelin tonë mjekësor nuk ka humbur jetën asnjë”, tha Brataj.
“Kur kalon, çdo gjë bëhet e parëndësishme. Njerëzit kanë marrë mesazh të gabuar se po të kapi virusi, do vdesësh.
Një pjesë e madhe e të infektuarve nuk shfaqin simptoma fare. Dëmtimet pulmonare janë serioze dhe kanë rrezikshmëri.
Normal që ke shqetësim, dhe aq më keq kur je mjek, dhe kur shfaqet ndonjë simptomë më shumë, shpreson të mos shkaktojë vatra të tjera siç e ka kjo sëmundje”, shtoi ai për Report TV.