Bujar Leskaj, i ka dorëzuar dje detyrën kreut të ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehut, votuar nga Kuvendi me 2 korrik 2020. Përmes një njoftimi publik në faqen zyrtare, KLSH bëri të ditur se zoti Shehu mori maksimalisht votat në Kuvend, ndërsa në prezantim ishin të pranishëm përfaqësues nga Kuvendi dhe Komisioni i Ekonomisë.
“Në datën 3 korrik 2020, në ambientet e Kontrollit të Lartë të Shtetit u prezantua Kryetari i Ri i KLSH-së, Z. Arben Shehu, kandidatura e të cilit u miratua me 108 vota pro, në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë të datës 2 korrik 2020. Në prezantimin e Kryetarit të Ri morën pjesë Zj. Milva Ekonomi, Kryetare e Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Z. Bujar Leskaj, Ish-Kryetar i KLSH-së dhe Z.Genc Gjonçaj, Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë.
Zonja Milva Ekonomi vlerësoi punën dhe ndryshimet pozitive në Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe veçanërisht evoluimin profesional të institucionit, i cili në punën e tij është mbështetur gjithnjë e më shumë në Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit”, thuhet në njoftim. Të pranishmit vlerësuan karrierën e deritanishme të Shehut, duke shprehur besimin e tyre në detyrën e tij si udhëheqës i KLSH nga tani e tutje pasi ky i fundit plotëson të gjitha kriteret që kërkon posti.
Ndërsa i uruan atij mirëseardhjen në detyrën e re dhe në punën që e pret sëbashku me ta. “Zonja Ekonomi vlerësoi karrierën e suksesshme të Arben Shehut dhe miratimin me 108 vota të kësaj kandidature nga Kuvendi i Shqipërisë dhe i uroi suksese ne detyrën e re si Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, si një prej institucioneve më të rëndësishme kushtetuese. Genc Gjonçaj bëri një përmbledhje të CV së Kryetarit Dr. Arben Shehu, duke u ndalur veçanërisht në karrierën e tij akademike dhe duke vlerësuar CV e tij të pasur dhe në përputhje të plotë më kriteret që duhet të plotësojë Kryetari i KLSH”, bën të ditur KLSH.
Qëndrimi i Leskaj
Kalimi i postit nga Bujar Leskaj tek kryetari i ri u bë në mirëkuptim dhe harmoni, madje vetë Leskaj ka mbështetur propozimin e Komisionit të Ekonomisë dhe më pas votimin e Kuvendit për kryetarin e ri. Sipas tij Arben Shehu ka dhënë të gjitha provat dhe kriteret që do të përmbushë si duhet detyrën e re, duke theksuar faktin se KLSH ka premisa të avancojë profesionalisht në vitet në vijim.
“Zoti Bujar Leskaj, pasi falënderoi stafin për punën e përbashkët në këto tetë vitet e fundit u shpreh besimplotë që Dr. Arben Shehu do ta kryejë shumë mirë detyrën e Kryetarit të KLSH-së mbështetur në tre shtylla: integritetin, profesionalizmin dhe pavarësinë.
Kryetari z. Arben Shehu falënderoi Z. Leskaj dhe stafin për prezencën dhe siguroi që KLSH, si institucion do të vijojë të punojë bazuar në Standardet profesionale dhe angazhimi i z. Arben Shehu do të jetë që puna e institucionit të ecë përpara, duke u mbështetur gjithnjë në punën profesionale dhe me standarde të audituesve të KLSH-së”, thekson KLSH.