Qetësimi i ujërave mes presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama ka revoltuar tej mase demokratët. Gazeta e ka deklaruar se përplasjet dhe divergjencat brenda opozitës janë shtuar ndjeshëm, por këto sherre kanë arritur kulmin ditët e fundit, teksa PD dhe LSI duket se kanë hyrë në një luftë të ftohtë me njëra-tjetrën.
Shkak janë bërë shkarkimi i Ardian Dvoranit, deklaratat e Taulant Ballës se PS nuk e ka qëllim në vetvete shkarkimin e Metës dhe votimi i kandidaturës së Arben Shehut propozuar nga presidenti për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit, që po shihen nga Partia Demokratike si një tradhti e hapur ndaj demokratëve. Sipas informacioneve, mësohet se të gjithat këto zhvillime të kohëve të fundit, ku protagonistë janë Rama dhe Meta, kanë bërë që demokratët të distancohen nga Lëvizja Socialiste për Integrim.
Sipas informacioneve, mësohet se disa nga mbledhjet e zhvilluar gjatë këtyre ditëve në disa rrethe të ndryshme të vendit, ku të pranishëm kanë qenë të deleguarit e Bashës dhe ish-deputetë të PD, ka pasur debatet të forta, ndërkohë që nuk kanë munguar pakënaqësitë, përplasjet, madje edhe gërshetimi i ideve. Rasti më i freskët vjen nga Tirana, ku në disa takime të zhvilluara mbi organizimin e partisë dhe përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë, një bashkëpunim i Partisë Demokratike me Lëvizjen Socialiste për Integrim ka irrituar demokratët.
Baza e prerë kundër koalicionit me LSI
Burime nga këto mbledhje theksuan për gazetën se baza demokrate është rreshtuar hapur kundër koalicionit me LSI. Në këtë pikë, mësohet se baza demokrate teksa është shprehu kundër bashkëpunimit dhe koalicionit me partinë e Kryemadhit, janë shprehur se me këtë forcë politike ka më shumë gjëra që i ndajnë se sa i bashkojnë.
Madje, duke qenë se këtë vit, veçanërisht në vjeshtë pritet që të ketë zgjedhje të parakohshme, mësohet se demokratët janë shprehur se një koalicion parazgjedhor me Lëvizjen Socialiste për Integrim do ta dëmtonte tej mase Partinë Demokratike, pasi për ta LSI është një parti që shkon nga fryn era dhe se asaj nuk duhet që t’i zihet besë.
Ndërkohë nga ana tjetër mësohet se demokratët kanë kërkuar që si PD ashtu edhe LSI të dalin më vete në zgjedhje. Megjithatë, mësohet se për demokratët kjo është një strategji e mirëmenduar, pasi në rast se ata dalin forcë e parë në zgjedhje dhe nuk kanë nevojë që të kenë ndihmën e partive të tjera për të formuar qeverinë, shanset e bashkëpunimit me Lëvizjen Socialiste për Integrim janë zero. Pra, demokratët nuk e duan një bashkëpunim me LSI, pasi kjo e fundit do ta përdorë këtë raport për interesat e saj.
Demokratët llogari të dërguarve të Bashës
Por bashkëpunimi dhe zyrtarizimet e koalicioneve nuk ishin të vetmet çështje që janë diskutuar në këto takime, sikundër ishte ai në disa nga degët e PD të Tiranës. Burime nga këto mbledhje i pohuan gazetës se anëtarët demokratë janë shfaqur tejet të revoltuar, madje edhe të ndarë sa i takon aksionit opozitar.
Sipas informacioneve, mësohet se një pjesë e anëtarëve që njihen si mbështetës të ish-kryeministrit, Sali Berisha kanë kërkuar që Partia Demokratike dhe aleatët e saj të nisin protestat kundër qeverisë, pasi sipas tyre, kjo është e vetmja rrugë për të ardhur në pushtet. Por kjo gjë duket se është injoruar, pasi shumica dërrmuese e delegatëve janë njerëz të kryedemokratit Lulzim Basha dhe se për ta në këto momente PD duhet të shtojë takimet me bazën dhe të merret me platformën që do të paraqesë para qytetarëve në mënyrë që të fitojë besimin e tyre për të ardhur në pushtet./RIGELS SELIMAN